Shtator 06, 2023 21:00 Europe/Tirane
  • Përmbytjet vrasin 11 persona në Turqi, Greqi dhe Bullgari

Numri i të vdekurve nga stuhitë e forta të shiut që kanë goditur disa pjesë të Greqisë, Turqisë dhe Bullgarisë është rritur në 11 pasi ekipet e shpëtimit gjetën katër trupa të tjerë.

Stuhia, e quajtur Daniel nga meteorologët grekë, ka goditur rajonin që nga e hëna dhe ka prekur kryesisht rajonin qendror grek të Magnesias dhe kryeqytetin e tij, Volos, 300 km (185 milje) në veri të Athinës. Energjia elektrike ka munguar në Volos që nga mëngjesi i së martës dhe ndërtesat dhe rrugët në fshatrat përreth janë dëmtuar rëndë nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet, sipas agjencisë së lajmeve France-Presse. “Ky është një fenomen ekstrem”, tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Një përmbytje e shpejtë në një kamping në Turqinë veriperëndimore pranë kufirit me Bullgarinë vrau të paktën katër persona dhe shkatërroi shtëpitë njëkatëshe. Dy nga viktimat u gjetën të mërkurën. Ekipet e shpëtimit ishin ende në kërkim për dy persona të tjerë të raportuar të zhdukur në kamping. Dy persona të tjerë vdiqën në Stamboll, qyteti më i madh i Turqisë, ku stuhitë e së martës përmbytën qindra shtëpi dhe biznese. Në Bullgari stuhitë që nga mbrëmja e së hënës kanë shkaktuar vërshimin e lumenjve, duke dëmtuar urat dhe duke ndërprerë qasjen në rajonin në jug të qytetit bregdetar të Burgasit. Trupi i një turisti të zhdukur u nxor nga deti të mërkurën, duke e rritur numrin e përgjithshëm të të vdekurve atje në tre.

 

Tags