Treni i Kim Jong Un hyn në Rusi
Treni i blinduar i liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un, i cili të dielën pasdite u largua nga Pheniani, hyri në Rusi nëpërmjet një ure mbi lumin Razdolnaja në rajonin Primorje.
Sipas Guardian, Kim Jong Un ka mbërritur në Rusi për t'u takuar me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar një marrëveshje të mundshme për furnizimin e Rusisë me armë nga Koreja e Veriut për luftën në Ukrainë. Agjencia japoneze e lajmeve Kiodo të martën duke cituar një burim zyrtar rus, raportoi se treni i blinduar i Kim kishte mbërritur nga Koreja e Veriut në Stacionin Khasan, porta kryesore e hekurudhës ruse të Lindjes së Largët. Takimi pritet të zhvillohet pasditen e së martës në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor në qytetin port rus të Vladivostok, ku Putin tashmë ka mbërritur. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov në një video të publikuar në internet tha: Udhëtimi i Kim në Rusi dhe takimi me Putinin do të jetë një udhëtim i plotë për të forcuar lidhjet mes dy vendeve. Peskov të martën hodhi poshtë paralajmërimet e SHBA për çdo marrëveshje armësh, duke thënë: Siç e dini, në zbatimin e marrëdhënieve tona me fqinjët tanë, përfshirë Korenë e Veriut, për ne janë të rëndësishme interesat e dy vendeve dhe jo paralajmërimet e Uashingtonit. Ne do të fokusohemi tek interesat e dy vendeve tona. Matthew Miller, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, në një bisedë me gazetarët në përgjigje të deklaratës së Kremlinit tha: Transferimi i armëve nga Koreja e Veriut në Rusi, shkel disa rezoluta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe natyrisht, ne kemi vendosur në mënyrë të fuqishme sanksionet tona kundër institucioneve që financojnë luftën e Rusisë dhe ne do të vazhdojmë të vendosim të tilla sanksione. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të SHBA-së theksoi: Putini është i dëshpëruar në luftën në Ukrainë dhe detyrohet të udhëtojë nëpër vende të tjera për t'u takuar me një figurë të përbuzura ndërkombëtarisht (Kim Jong-un) për të kërkuar ndihmë në një luftë që ai priste ta fitonte në muajin e parë; Interpretimi im për këtë është se ai po lutet për ndihmë. Udhëtimi është udhëtimi i parë i Kim jashtë vendit në më shumë se katër vjet dhe i pari që nga pandemia Covid-19. Zyrtarët amerikanë besojnë se Putini ka të ngjarë të fokusohet në furnizimin e Koresë së Veriut me më shumë artileri dhe municione në një përpjekje për të penguar një kundërofensivë ukrainase. Në këmbim, Kim mund të kërkojë energji dhe ndihmë ushqimore, si dhe teknologji të avancuar për satelitët dhe nëndetëset me energji bërthamore, të cilat mund të rrisin kërcënimin që vjen nga programet e raketave balistike dhe armëve bërthamore të Koresë së Veriut. Megjithatë, disa analistë besojnë se Rusia heziton të ndajë detaje të teknologjisë së saj të armëve të mbrojtura në këmbim të një furnizimi të kufizuar me predhave artilerie dhe municione të tjera.