Shtator 13, 2023 21:08 Europe/Tirane
  • Libi, trupat e viktimave të përmbytjeve po varrosen në varreza masive

Trupat e viktimave që janë gjetur pas përmbytjeve katastrofike që “fshinë” një pjesë të qytetit port Derna në lindje të Libisë, janë varrosur në varrezat masive.

Të paktën 5.300 persona humbën jetën kur shpërthimi i digave bëri që të krijohet një lloj cunami duke goditur qytetin Derna, si pasojë e stuhisë Daniel që goditi vendin. Vetëm në Derna 2.200 persona kanë humbur jetën. Varrezat masive u hapën nga ekskavatorë dhe viktimat u futën nëpër thasë dhe u varrosën së bashku. Në anën tjetër mbi 10 mijë persona po konsiderohen si të zhdukur, ndërsa numri i të vdekurve pritet të jetë akoma më i madh. Të mbijetuarit e përmbytjeve theksuan se kanë dëgjuar shpërthimin e fuqishëm kur është shembur njëra nga dy digat, ku si pasojë qyteti më pas u godit një cunami e uji arriti deri në katin e tretë të ndërtesave. Ekipet e shpëtimit akoma janë duke kërkuar viktimat dhe të mbijetuarit e mundshëm. Kryqi i Kuq ka frikë se bilanci përfundimtar i stuhisë Daniel mund të rrisë numrin e viktimave, derisa 7 mijë janë lënduar e mbi 10 mijë po konsiderohen të zhdukur.

 

Tags