Rusia dëbon dy diplomatë amerikanë, thërret ambasadoren amerikane
(last modified Thu, 14 Sep 2023 18:54:27 GMT )
Shtator 14, 2023 20:54 Europe/Tirane
  • Rusia dëbon dy diplomatë amerikanë, thërret ambasadoren amerikane

Rusia ka thirrur ambasadoren amerikane në Moskë dhe ka dëbuar dy diplomatë të ambasadës amerikane të akuzuar për bashkëpunim me një spiun rus.

Në një deklaratë të enjten, Ministria e Jashtme ruse tha se kishte thirrur ambasadoren Lynne Tracy, duke i thënë asaj se sekretari i parë Jeffrey Sillin dhe sekretari i dytë David Bernstein duhet të largohen nga Rusia brenda një jave. Duke i shpallur dy diplomatët “persona non grata”, Ministria e Jashtme ruse tha se dyshja dyshohet se kishte punuar me një shtetas rus të akuzuar për bashkëpunim për një shtet të huaj. “Personat e përmendur kryen veprimtari të paligjshme, duke mbajtur kontakte me shtetasin rus R. Shonov, i akuzuar për ‘bashkëpunim konfidencial’ me një shtet të huaj”, tha ministria. Robert Shonov, sipas Reuters, ishte i punësuar nga Konsullata e Përgjithshme e SHBA në qytetin lindor rus të Vladivostokut për më shumë se 25 vjet deri në vitin 2021, kur Moska pengoi stafin lokal të punonte për misionin amerikan. “Ambasadores amerikane iu tha se Sillin dhe Bernstein duhet të largohen nga territori i Rusisë brenda shtatë ditëve nën statusin e personave non grata”, shtoi ministria. Në maj, Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) arrestoi Shonovin, duke e akuzuar atë se u kishte dhënë informacione për luftën në Ukrainë dy diplomatëve amerikanë. Uashingtoni e kritikoi Moskën për këtë veprim, duke akuzuar Rusinë për përdorimin e “ligjeve gjithnjë e më represive kundër qytetarëve të saj”.

 

Tags