Kina sanksionon dy kompani amerikane për shitjen e armëve në Tajvan
(last modified Fri, 15 Sep 2023 19:17:44 GMT )
Shtator 15, 2023 21:17 Europe/Tirane
  • Kina sanksionon dy kompani amerikane për shitjen e armëve në Tajvan

Pekini zyrtar bëri të ditur më 15 shtator se ka vendosur t’i sanksionojë dy kompani amerikane, Lockheed Martin dhe Northrop Grumman, për rolin e tyre në furnizimin me armë për Tajvanin.

Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin, ndihmon në furnizimin e Tajvanit me armë për mbrojtjen e vendit. Në të kaluarën, administratat amerikane e kishin bërë këtë përmes shitjeve dhe jo ndihmës direkte. Por, në gusht, Uashingtoni e miratoi për herë të parë ndihmën e drejtpërdrejtë ushtarake amerikane për Tajvanin në kuadër të një programi të ndihmave drejt qeverive të huaja. “Pavarësisht kundërshtimit të fortë të Kinës, qeveria e SHBA-së është e vendosur t’i ofrojë armë Tajvanit… duke dëmtuar seriozisht sovranitetin dhe interesat e sigurisë së Kinës dhe duke shkuar gjithnjë e më tej në rrugën e gabuar dhe të rrezikshme të armatosjes së Tajvanit”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Nin, në një konferencë për media. Ajo tha se Lockheed Martin ishte kompania kryesore e kontraktuar për shitjen e armëve amerikane në Tajvan që u zhvilluan më 24 gusht dhe se Northrop Grumman kishte marrë pjesë në shitje “shumë herë”. “Kina ka vendosur t’i sanksionojë dy kompanitë e mësipërme ushtarake amerikane”, shtoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze. Mao tha se Kina u kërkoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës ta ndalonin shitjen e armëve në Tajvan. “Përndryshe, ajo do të përballet në mënyrë të pashmangshme me një përgjigje të vendosur dhe reagim të fortë nga Kina”, shtoi ajo.

 

Tags