Kim largohet nga Rusia
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, u largua nga Rusia me trenin e tij të blinduar, dhe mori me vete edhe armët dhuratë nga presidenti rus Vladimir Putin.
Pas vizitës gjashtëditore që u përqendrua në çështje ushtarake, lideri koreano-verior u largua me ceremoni, por pa arritjen e qëllimit kryesor, atë të marrëveshjes së armëve. Vizita e parë e Kim jashtë vendit që nga shpërthimi i pandemisë së COVID-19 u përcoll me frikën e Perëndimit se Moska dhe Pheniani do të sfidojnë sanksionet dhe do të arrijnë një marrëveshje për armët. Armët dhuratë përfshijnë pesë dronë kamikazë, një dron vëzhgues dhe një jelek anti-plumb. Një ditë më parë, Kim u takua me ministrin rus të Mbrojtjes në Vlladivostok, ku inspektuan një sërë armësh përfshirë sisteme të raketave hipersonike. Vizita e liderit koreano-verior në Rusi, që nisi të martën, shënoi kulmin e saj në takimin kokë më kokë me presidentin rus. Moska besohet se është e interesuar që të blejë municione nga Koreja e Veriut në mënyrë që të vazhdojë luftën në Ukrainë, ndërkaq Pheniani dëshiron ndihmën e Moskës që të zhvillojë programin e tij bërthamor, ndaj të cilit ka sanksione ndërkombëtare.