Biden: Autoriteti Autonom Palestinez duhet të sundojë Rripin e Gazës
Presidenti amerikan Joe Biden të shtunën kundërshtoi edhe një herë vendosjen e armëpushimit në Gaza dhe tha se pas luftës izraelite dhe rezistencës palestineze, Autoriteti Autonom duhet të sundojë përfundimisht Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor.
Sipas IRNA, cituar nga Reuters, Biden në një artikull në Washington Post shkroi: Ndërsa ne punojmë drejt një zgjidhjeje me dy shtete dhe drejt paqes, Gaza dhe Bregu Perëndimor duhet të ribashkohen nën një strukturë të vetme qeverisëse dhe përfundimisht duhet të jenë nën një Autoritet Palestinez. Biden shtoi: Nuk duhet të ketë zhvendosje të detyruar të palestinezëve nga Gaza, asnjë ri-pushtim, asnjë bllokadë dhe asnjë reduktim territorial. Në këtë artikull, ai u përpoq t'i përgjigjet pyetjes se çfarë dëshiron Amerika për Gazën pas përfundimit të konfliktit. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli duhet të ketë "përgjegjësi të plotë ushtarake" në Gaza "për të ardhmen e parashikueshme". Presidenti amerikan kundërshtoi edhe një herë armëpushimin në Gaza dhe shtoi: Çdo armëpushim është një mundësi për të rindërtuar arsenalin e raketave, për të organizuar luftëtarët e Hamasit dhe për të sulmuar përsëri njerëzit e pafajshëm. Biden gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të vendosin një ndalim të vizave për "ekstremistët" që sulmojnë civilët në Bregun Perëndimor. Dhuna nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar është rritur që kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor. Biden pretendoi: Në bisedën me liderët e Izraelit kam theksuar se dhuna e ekstremistëve ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor duhet të ndalet dhe ata që kryejnë këtë dhunë duhet të mbajnë përgjegjësi. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin kishte theksuar më parë se rritja e dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, e cila ka çuar në vdekjen dhe zhvendosjen e civilëve palestinezë, në planin afatgjatë do të jetë e dëmshme për Izraelin. Franca kritikoi gjithashtu dhunën e kolonëve sionistë kundër palestinezëve që jetojnë në Bregun Perëndimor të lumit Jordan dhe e quajti atë një "politikë terrori". Anne-Claire Lezhandre, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme franceze, në një konferencë për shtyp tha se qëllimi i kësaj dhune dhe gjakderdhjeje është zhvendosja e qëllimshme e palestinezëve dhe se Izraeli duhet të mbrojë banorët civilë të Bregut Perëndimor. Ajo gjithashtu theksoi se Izraeli nuk duhet të vendosë për të ardhmen e Gazës dhe se ky rrip duhet të jetë pjesë e shtetit palestinez.