Dhjetor 14, 2023 19:57 Europe/Tirane
  • Putin: Lufta në Ukrainë nuk është si katastrofa e Gazës

Presidenti rus Vladimir Putin tha se katastrofa humanitare në Gaza nuk ka asgjë të përbashkët me luftën në Ukrainë.

Duke folur në një konferencë shtypi në Moskë të enjten, udhëheqësi rus tha se brutaliteti i Izraelit në Rripin e rrethuar të Gazës ka shkaktuar një katastrofë në një shkallë të pakrahasueshme me operacionin special të Moskës të nisur në Ukrainë më 24 shkurt 2022.

“Të gjithë këtu dhe në mbarë botën mund të shohin dhe shikojnë operacionin ushtarak special dhe atë që po ndodh në Gaza dhe të ndjejnë ndryshimin. Por nuk ka asgjë të tillë në Ukrainë," tha Putin.

Presidenti rus iu referua komenteve të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, i cili e përshkroi Rripin e Gazës si "varreza më e madhe në botë për fëmijët".

"Ky është një vlerësim objektiv, s' mund të them gjë tjetër," tha Putin.

Presidenti rus tha gjithashtu se homologu i tij turk Rexhep Tajip Erdogan po luan një rol udhëheqës në zgjidhjen e situatës në Gaza.

“Ai është, natyrisht, një nga liderët e bashkësisë ndërkombëtare që i kushton vëmendje kësaj tragjedie dhe bën gjithçka për të siguruar që situata të ndryshojë për mirë, në mënyrë që të krijohen kushte për paqe afatgjatë.”

Presidenti Putin gjatë konferencës për shtyp tha se operacioni ushtarak në Ukrainë do të vazhdojë nëse Moska nuk arrin një marrëveshje me Kievin për të siguruar "çmilitarizimin", "denazifikimin" dhe "neutralitetin" e Ukrainës.

"Do të ketë paqe kur t'i arrijmë qëllimet tona... Sa i përket demilitarizimit, nëse ukrainasit nuk duan të arrijnë një marrëveshje, atëherë ne jemi të detyruar të marrim masa të tjera, përfshirë ato ushtarake," tha ai.

"Ose arrijmë një marrëveshje, biem dakord për disa parametra për madhësinë dhe forcën e ushtrisë së Ukrainës ... ose do ta zgjidhim këtë me forcë. Kjo është ajo për të cilën do të përpiqemi", deklaroi presidenti rus.

 

Tags