Koreja e Veriut lëshoi raketë balistike
Koreja e Veriut ka lëshuar një lloj të paidentifikuar të raketës balistike, kanë thënë Garda Bregdetare e Japonisë dhe ushtria e Koresë së Jugut.
Pak pas lëshimit, Pheniani e ka dënuar atë që e ka konsideruar demonstrim të forcës ushtarake, në krye me Shtetet e Bashkuara, dhe ka aluduar se veprimet e fundit të SHBA dhe Koresë së Jugut janë “paralajmërim për një luftë bërthamore”.
Raketa është lëshuar drejt brigjeve lindore të Koresë së Veriut, sipas autoriteteve jugkoreane. Rreth 20 minuta pas lëshimit, Garda japoneze ka thënë se raketa ka rënë në det.
Ky testim raketor është bërë pas paralajmërimeve nga zyrtarë në Seul dhe Tokio që Koreja e Veriut – fuqi bërthamore – është duke u përgatitur për lëshim të një rakete – përfshirë një raketë balistike interkontinentiale.
Rreth gjysmë ore pas lëshimit të raketës balistike, media shtetërore verikoreane e ka transmetuar një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila i ka kritikuar “gangsterët ushtarakë” në Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut për rritje të tensioneve, përmes stërvitjeve, demonstrimit të forcës dhe planifikimit të një lufte bërthamore.
“Forcat e armatosura të Koresë së Veriut do të neutralizojnë përpjekjet e SHBA-së dhe forcave të tyre vasale për të nisur luftë bërthamore, dhe kështu do të garantojnë paqe dhe siguri në Gadishullin Korean”, është thënë në deklaratë.
Në deklaratë është cituar arritja e një nëndetëseje amerikane me kapacitet bërthamor, USS Missouri në portin jugkorean, Busan, të dielën.