Blinken mision të ri diplomatik në Lindjen e Mesme
https://parstoday.ir/sq/news/world-i153590-blinken_mision_të_ri_diplomatik_në_lindjen_e_mesme
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, filloi misionin e tij më të fundit urgjent diplomatik në Lindjen e Mesme të shtunën në Turqi, ndërsa shtohet frika se lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gaza mund të kthehet në një konflikt më të gjerë.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Janar 06, 2024 19:50 Europe/Tirane
  • Blinken mision të ri diplomatik në Lindjen e Mesme

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, filloi misionin e tij më të fundit urgjent diplomatik në Lindjen e Mesme të shtunën në Turqi, ndërsa shtohet frika se lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gaza mund të kthehet në një konflikt më të gjerë.

Vizita e katërt e Blinkenit në tre muaj vjen mes zhvillimeve shqetësuese jashtë Gazës, përfshirë Libanin, Izraelin verior, Detin e Kuq dhe Irakun.

Sekretari Blinken u takua me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe ministrin e Jashtëm Hakan Fidan për të diskutuar për ndikimin që mund të ushtrojë Turqia për të lehtësuar tensionet në rritje, për të përshpejtuar dërgesat e ndihmave humanitare në Gazë dhe për të filluar planifikimin për rindërtimin dhe qeverisjen e Gazës së pasluftës. Pjesa më e madhe e territorit është kthyer në gërmadha nga tre muaj bombardime intensive izraelite.

Presidenti Erdogan, është një kritik i ashpër i krimeve të Izraelit në Gaza. Ndryshe nga SHBA, Turqia nuk e konsideron Hamasin si një grup terrorist.

Pas Turqisë, Blinken do të shkojë në ishullin e Kretës për të takuar kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis. Greqia, anëtare e NATO-s, është në pritje të miratimit nga Kongresi i SHBA-së të një shitjeje avionësh luftarakë F-35.

Në ditët në vazhdim, sekretari amerikan i shtetit do të vizitojë vende arabe, Izraelin dhe Bregun Perëndimor, ku do të përcjellë mesazhin se Uashingtoni nuk dëshiron një përshkallëzim rajonal të konfliktit të Gazës.