Shkurt 01, 2024 19:56 Europe/Tirane
  • Biden me epërsi ndaj ish-presidentit Trump

Në një kohë kur duket se presidenti Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump do të përballen përsëri në kutitë e votimit në zgjedhjet e këtij viti, një sondazh i fundit mes tregon se Biden e ka zgjeruar epërsinë ndaj Trump.

Sipas sondazhit të Universitetit Quinnipiac, rezultatet e së cilës u publikuan të mërkurën, presidenti demokrat Biden gëzon 50 për qind mbështetje, 6 për qind më shumë sesa republikani Trump me 44 për qind.

Është një ndryshim i ndjeshëm nga sondazhi i mëparshëm i Universitetit Quinnipiac, më 20 dhjetor 2023, ku rezultatet për dy kandidatët ishin aq të afërta, saqë nuk mund të përcaktohej se kush do të fitonte nëse zgjedhjet do të mbaheshin në atë moment.

Në atë sondazh presidenti Biden gëzonte 47 për qind mbështetje dhe ish-presidenti Trump 46 për qind. Në sondazhin e fundit, 96 për qind e demokratëve dhe 52 për qind e të pavarurve mbështesin Biden, ndërsa 91 për qind e republikanëve dhe 40 për qind e pavarurve mbështesin Trumpin.

Ndërkohë sipas një ankete tjetër, rritja e optimizmit për ekonominë ka qenë modeste dhe nuk po përkthehet në një mbështetje më të madhe për presidentin Biden, megjithëse ai dhe ekipi i tij gjithnjë e më tepër po e vënë theksin tek përmirësimi i gjendjes ekonomike në vend.

65% e të anketuarve mendojnë se ekonomia është e dobët, megjithatë kjo shifër përbën një përmirësim nga një vit më parë, kur 76% mendonin kështu.

Besimi i votuesve tek ekonomia mund të jetë një faktor kyç në zgjedhjet presidenciale të këtij viti.

 

Tags