Shkurt 11, 2024 19:47 Europe/Tirane
  • NATO kritikon ish-presidentin amerikan Trump pas komenteve të ashpra

Zyrtarë të lartë të Perëndimit kanë kritikuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump, të dielën, pasi ai tha se Shtetet e Bashkuara mund të mos i mbrojnë aleatët e NATO-s që nuk janë duke ndarë mjaftueshëm para në mbrojtje nga një pushtim potencial prej Rusisë.

“Çdo sugjerim që aleatët nuk do të mbrojnë njëri-tjetrin, dëmton sigurinë e të gjithëve, përfshirë atë të SHBA-së, dhe i rrezikon ushtarët amerikanë dhe ata evropianë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përmes një deklarate.

“Çdo sulm ndaj NATO-s do të rezultojë me një përgjigje të përbashkët dhe të fuqishme”, shtoi ai.

“Motoja e NATO-s është ‘një për të gjithë, të gjithë për një’, dhe ky është përkushtim konkret. Minimi i kredibilitetit të shteteve aleate nënkupton dobësim të të gjithë NATO-s”, ka thënë Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslav Kosiniak-Kamysz.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë, pas komenteve të Trumpit ka postuar një mesazh duke shkruar: “Një për të gjithë, të gjithë për një’ dhe “Së bashku më të fortë”.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka thënë se “deklaratat e Trumpit për sigurinë e NATO-s dhe Aktin 5, u shërbejnë vetëm interesave të presidentit rus, Vladimir Putin”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates, i pyetur për komentet e Trumpit, ka thënë se “inkurajimi i pushtimit të aleatëve tanë të ngushtë nga regjimet vrasëse, është i tmerrshëm dhe e rrezikon sigurinë kombëtare amerikane, stabilitetin global dhe ekonominë tonë”.

 

Tags