Spanja sanksionon kolonët ekstremistë të Bregut Perëndimor
Ministri i Jashtëm spanjoll tha në Parlamentin e këtij vendi: “Madridi po përgatit sanksione kundër kolonëve ekstremistë sionistë në Bregun Perëndimor”.
Sipas agjencisë së lajmeve IRNA, ministri i Jashtëm spanjoll Jose Manuel Albares tha: “Ne jemi duke përgatitur sanksione individuale kundër kolonëve të dhunshëm në Bregun Perëndimor, ku situata është po aq alarmante sa në Gaza; sepse politika e ndërtimit të vendbanimeve atje shkel drejtpërdrejt ligjet ndërkombëtare”.
Albares, duke theksuar refuzimin e Spanjës për të lëshuar licenca të reja të eksportit të armëve për regjimin sionist, si dhe dhënien e 3.5 milionë eurove për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në një kohë kur të gjithë donatorët kryesorë e kishin ndërprerë ndihmën e tyre financiare, tha se “Madridi kishte dhënë kontribute të konsiderueshme në procesin e paqes në Lindjen e Mesme”.
Me operacionin e lëvizjes së rezistencës palestineze (Hamas) kundër pozicioneve të regjimit sionist në Rripin e Gazës, i cili u quajt “Operacioni Stuhia Al-Aksa”, është shtuar dhuna e kolonëve sionistë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor.
Pas fitores ndaj arabëve në luftën 6-ditore në vitin 1967, regjimi sionist shkeli ligjin ndërkombëtar dhe filloi ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor të Lumit Jordan.
Deri më sot, Tel Avivi ka ndërtuar 146 vendbanime në Bregun Perëndimor. Gjithashtu, edhe 144 vendbanime të tjera janë ndërtuar nga hebrenjtë pa marrë leje nga autoritetet sioniste. Ndaj edhe mediat e këtij regjimi i quajnë të paligjshme këto vendbanime.
Në Bregun Perëndimor jetojnë gjithsej 470,000 kolonë, të cilët janë kryesisht hebrenj.