Harris bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza
Zëvendës presidentja amerikane Kamala Harris kushtet në Rripin e Gazës i quajti çnjerëzore dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në këtë rajon, duke kërkuar nga regjimi sionist që të lejojë "pa asnjë justifikim" hyrjen e më shumë ndihma në rajon.
Në një fjalim në Alabama, Harris deklaroi se duhet të vendoset një armëpushim i menjëhershëm në Gaza, duhet të sigurohen më shumë ndihma për Rripin e Gazës dhe të burgosurit e mbajtur nga rezistenca palestineze duhet të lirohen. Ajo shtoi se banorët e Gazës po vuajnë nga një fatkeqësi njerëzore dhe kushtet në këtë rajon janë çnjerëzore. Gazeta Independent gjithashtu raportoi se Harris i kërkoi Hamasit dhe zyrtarëve izraelitë që të pranonin ofertën për një marrëveshje të menjëhershme armëpushimi 6-javor në Gaza. Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara tha: Duke marrë parasysh situatën e rënduar të tragjedisë në Gaza, duhet të vendoset një armëpushim i menjëhershëm prej të paktën 6 javë. Ajo i kërkoi Izraelit që "pa asnjë justifikim" të lejojë të hyjnë më shumë ndihma në Gaza. Këto deklarata bëhen ndërsa Benny Gantz, anëtar i kabinetit të luftës të regjimit sionist, ka udhëtuar në Amerikë dhe është planifikuar të takohet me Kamala Harris dhe Jake Sullivan, këshilltarin e sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, dhe një numër përfaqësuesish të Partisë Demokratike dhe Republikane në Kongres. Ministria e Shëndetësisë e Gazës të dielën në statistikat e saj të fundit njoftoi se që nga 7 tetori numri i dëshmorëve të sulmeve të regjimit sionist në Rripin e Gazës ka arritur në 30,410 persona dhe numri i të plagosurve ka arritur në 71,700.