Londër: Dhjetëra mijëra bëjnë thirrje për armëpushim në Gaza
Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën para ambasadës amerikane në Londrën qendrore për të kërkuar ndalimin e menjëhershëm të sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës.
Tubimi, i organizuar nga Fushata e Solidaritetit me Palestinën (PSC), u nis të shtunën nga Hyde Park Corner drejt Ambasadës së SHBA në Nine Elms.
Një numër i madh forcash policie janë vendosur tashmë në Londër.
Policia Metropolitane tha se oficerët e saj do të mbështeten sërish nga kolegë të forcave policore në të gjithë vendin.
Gjithashtu në marshim ishte edhe ish-udhëheqësi i Laburistëve, Jeremy Corbyn.
Ai tha se demonstrata ishte "e madhe dhe ne jemi këtu sepse jemi të tmerruar nga bombardimet që po vazhdojnë ende në Gaza".
Tubimi pasoi komentet e ish-sekretares së Brendshme britanike Suella Braverman, e cila i përshkroi demonstratat si "marshime urrejtjeje".
Komisioneri i qeverisë kundër-ekstremizmit, Robin Simcox, shkroi gjithashtu në Daily Telegraph të premten se Londra ishte "lejuar të shndërrohej në një zonë të ndaluar për hebrenjtë çdo fundjavë".
Dame Sara Khan, një këshilltare e qeverisë britanike për kohezionin social paralajmëroi gjithashtu se përpjekjet për të portretizuar protestuesit në mitingjet pro-palestineze si ekstremistë ishin të rënda dhe të rrezikshme.