Mars 11, 2024 19:48 Europe/Tirane
  • NATO nuk ka plane të dërgojë trupa në Ukrainë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u distancua sot nga deklarata e presidentit francez Emmanuel Macron, se aleatët perëndimorë nuk duhet të përjashtojnë vendosjen e trupave në Ukrainë.

“NATO nuk ka plane të dërgojë trupa në Ukrainë dhe NATO nuk është palë në konflikt, as aleatë të NATO-s”, tha Stoltenberg në një intervistë për Reuters.

Sipas raporteve nga Parisi, javën e kaluar Macron hodhi poshtë nocionin se trupat franceze potencialisht mund të dislokohen në Ukrainë.

Ai tha se edhe nëse vende individuale të NATO-s do të dërgonin trupa në Ukrainë, kjo do të ndikonte në aleancën në tërësi pasi anëtarët e saj janë të ‘detyruar’ nga një pakt i mbrojtjes kolektive.

I pyetur nëse presidenti francez kishte bërë një gabim duke folur për “paqartësi strategjike” për vendosjen e mundshme të trupave perëndimore në Ukrainë, shefi i NATO-s tha: “Unë mendoj se është e rëndësishme që të konsultohemi dhe të kemi një qasje të përbashkët për këto tema të rëndësishme sepse ato kanë rëndësi për të gjithë ne”.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm polak ka rrezikuar të shkaktojë polemika duke thënë se “personeli ushtarak i NATO-s është tashmë i pranishëm në Ukrainë”.

Radoslaw Sikorski, gjatë një konference për media shkaktoi polemikë ndërkombëtare me deklaratat e tij për praninë e trupave të NATO-s në Ukrainë, por duke mos e theksuar se për cilin vend po flet.

“Unë do të doja të falënderoja ambasadorët e atyre vendeve që e kanë marrë atë rrezik. Këto vende e dinë se cilët janë, por unë nuk mund t’i zbuloj. Ndryshe nga politikanët e tjerë, unë nuk do t’i listoj ato vende”, tha Sikorski.

 

Tags