Presioni i BE-së dhe SHBA-së për armëpushim në Gaza
Udhëheqësit e 27 vendeve të BE-së në një deklaratë të përbashkët pas samitit të Brukselit kërkuan një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza.
Sipas “The Guardian”, liderët e BE-së më në fund kanë kapërcyer mosmarrëveshjet e tyre dhe kanë bërë thirrje për një fund të menjëhershëm të luftës dhe një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza. Sot, Shtetet e Bashkuara do të votojnë një rezolutë në Kombet e Bashkuara që kërkon një armëpushim dhe një shkëmbim të menjëhershëm të pengjeve. Në deklaratën e tyre, liderët e Bashkimit Evropian i kërkuan gjithashtu Tel Avivit që të mos kryejë operacion ushtarak në Rafah. Në këtë deklaratë, Liderët e Bashkimit Evropian thanë: Ne bëjmë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar dhe të qëndrueshëm në Gaza dhe i bëjmë thirrje Izraelit të mos kryejë operacione tokësore në Rafah. Pak orë më parë, pas takimit me homologun e tij amerikan, ministri i Jashtëm egjiptian, Sameh Shukri bëri të ditur se në fokus të bisedimeve ishin situata aktuale në Gaza, armëpushimi, rritja e sasisë së ndihmave të dërguara në Gaza dhe lirimi i të burgosurve. Ministri i Jashtëm egjiptian gjithashtu theksoi: Izraeli nuk duhet të kryejë asnjë operacion ushtarak në qytetin e Rafah, ku ka një popullsi të madhe të të zhvendosurve. Ne po kërkojmë një zgjidhje të bazuar në të mirën e të dy vendeve në mënyrë që rajoni dhe kombet e rajonit të arrijnë sigurinë. Më tej Sameh Shukri shtoi: Duhet të arrihet sa më shpejt një armëpushim në Gaza dhe të shtohet ndihma e dërguar në këtë rajon. Ne jemi të vendosur kundër largimit të palestinezëve nga tokat tona. Rafah, kufiri jugor i Gazës me Egjiptin, është e vetmja zonë që ende nuk është shënjestruar nga sulmet tokësore të regjimit sionist, dhe konsiderohet si një strehë për më shumë se gjysmën e popullsisë 2.3 milionëshe të Gazës. Benjamin Netanjahu, kryeministri i regjimit sionist, tashmë ka paralajmëruar sulmin e afërt në Rafah dhe ka thënë se i ka kërkuar ushtrisë së këtij regjimi që të përgatitet për evakuimin e qindra mijëra njerëzve nga kjo zonë.