Mars 24, 2024 20:09 Europe/Tirane
  • Guterres: Bllokimi i ndihmave në Gazë është fyerje morale

Bllokimi i dhjetëra kamionëve me ndihma në anën egjiptiane të kufirit me Rripin e Gazës, ku njerëzit janë duke u përballur me uri, përbën fyerje morale, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, përgjatë një vizite në pikëkalimin në Rafah.

Ai ka thënë se është koha që Izraeli të zotohet për lëshimin e ndihmave në Gazë dhe ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe lirim të pengjeve izraelite që po mbahen në Gaza.

Guterres u ka thënë gazetarëve se OKB-ja do të vazhdojë të punojë me Egjiptin për të mundësuar depërtimin e ndihmave në brendësi të Gazës.

“Prej kësaj pike kufitare ne e shohim situatën e trishtueshme. Një rend i gjatë me kamionë të bllokuar në njërën anë të kufirit, një rend i gjatë i njerëzve të uritur në anën tjetër”, ka thënë ai.

“Kjo më shumë sesa tragjike, është fyerje morale”, tha shefi i OKB-së.

E vetmja mënyrë efektive për të dërguar ndihma humanitare në Gaza është rruga, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Menjëherë pas takimit me presidentin dhe ministrin e jashtëm të Egjiptit në Kajro, Guterres foli edhe për ndikimin që ka lufta në Gazë në të gjithë globin.

“Sulmi i përditshëm ndaj dinjitetit njerëzor të palestinezëve po krijon një krizë në komunitetin ndërkombëtar”, tha Guterres.

Gjithashtu, Guterres ka bërë të ditur se Kombet e Bashkuara po punojnë shumë për të mbështetur fondet për agjencinë e saj për refugjatët palestinezë, UNRWA, të cilën ai e quajti shtyllën kurrizore për ndihmën humanitare brenda Gazës.

Regjimi izraelit është duke kërcënuar me nisjen e një operacioni ushtarak në qytetin jugor të Gazës, Rafah, shumë afër kufirit me Egjiptin, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare kundër një sulmi të tillë.

 

Tags