Mars 28, 2024 16:55 Europe/Tirane
  • Amerika sanksionon një media pro-palestineze

Departamenti Amerikan i Thesarit ka sanksionuar faqen e medias online “Gaza Now” me pretendimin se kryen mbledhjen e ndihmës financiare për Lëvizjen e Rezistencës Islamike Palestineze (Hamas).

Sipas “ABC News”, Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi të mërkurën se Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) ka sanksionuar dy individë dhe tre subjekte si lehtësuesit kryesorë financiarë për Lëvizjen e Rezistencës Islamike Palestineze (Hamas).  Sipas Departamentit Amerikan të Thesarit,  themeluesi i "Gaza Now", si dhe drejtori i dy kompanive "Al-Kureshi Executive" dhe "Auzma Sultane", Mustafa Ayash, është përpjekur të mbledhë ndihma financiare për Hamasin. Kanali arab “Gaza Now” ka më shumë se 300 mijë ndjekës në rrjetin social “X” dhe një numër të madh ndjekësish në platformën Telegram. Departamenti i Thesarit mbetet i përkushtuar për të kufizuar aftësinë e Hamasit për të financuar aktivitetet e tij, duke përfshirë fushatat virtuale të mbledhjes së fondeve,- tha Brian Nelson, nënsekretari i Thesarit të SHBA për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare. Zëvendës Sekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare shtoi se SHBA, në koordinim të ngushtë me partnerët e saj britanikë, do të vazhdojë të përdorë mjetet e nevojshme për të penguar aftësinë e Hamasit për të kryer më shumë sulme.

 

Tags