Gjermania paditet për përkrahje të gjenocidit
Nikaragua i ka kërkuar sot Gjykatës së Kombeve të Bashkuara në Hagë, të ndalojë eksportet e armatimeve gjermane drejt Izraelit që po nxisin konfliktin e rëndë në Gaza, në një çështje të rrallë që mund të vendosë precedentë të rëndësishëm.
Në ankesë, Gjermania akuzohet për shkelje të Konventës së Gjenocidit të OKB me dërgimet e armatimeve të rënda për Izraelin dhe ndalimin e fondeve për agjencinë e ndihmave të OKB.
Berlini ka refuzuar akuzat dhe pretendon se do të prezantojë argumentimin e tij të mbrojtjes të martën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Padia e Nikaraguas thotë se shitjet e armatimeve të Gjermanisë te Izraeli arrinin vitin e kaluar në mbi 300 milionë euro, në një rritje dhjetëfishore prej vitit 2022, çka e bën Berlinin bashkëpunëtor në krimet e luftës që janë kryer nga Izraeli.
Në padinë e Nikaraguas thuhet: “Gjermania po ndihmon kryerjen e gjenocidit dhe po shkel detyrimin e saj për të punuar në parandalimin e gjenocidit”.
Sipas statistikave të vitit 2023, rreth 30% e blerjeve të armatimeve nga Izraeli kanë ardhur nga Gjermania, në një total prej 300 milionë euro.
Akuzat e fundit vijnë pas një veprimi të ngjashëm nga Afrika e Jugut që paditi Izraelin për gjenocid.