Prill 10, 2024 20:48 Europe/Tirane
  • Zelensky: Primitive ideja e Trumpit për të ndaluar luftën

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në një intervistë të dhënë për Bild më 9 prill, se është skeptik lidhur me planin e supozuar të paqes të ish-presidentit amerikan Donald Trump, për dhënien e një pjese të territoreve të okupuara ukrainase Rusisë, shkruan Kyiv Independent.

Washington Post shkroi më 7 prill, duke cituar burime anonime, se Trump ka thënë privatisht se mund t’i jepte fund luftës së Rusisë duke i bërë presion Ukrainës që t’ia jepte Krimenë dhe Donbasin, Moskës.

Trump tha gjithashtu se beson se Moska ashtu edhe Kievi “duan të shpëtojnë fytyrën, duan një rrugëdalje”, duke pretenduar se ukrainasit në territoret e pushtuara nga Rusia nuk do të kundërshtonin të jenë pjesë e Rusisë.

“Nëse marrëveshja dhe ideja është thjesht të japim territoret tona, atëherë është shumë primitive”, tha Zelensky.

Presidenti i Ukrainës theksoi gjithashtu se do të ishte i lumtur të dëgjonte qasjen e Trump për t’i dhënë fund luftës shpejt, nëse ish-presidenti i SHBA-së “në të vërtetë do ta kishte”.

“Por ne kemi nevojë për argumente të forta. Ne nuk kemi nevojë për një ide fantastike, por një të vërtetë. Ka të bëjë me jetë njerëzore; ne nuk mund të bëjmë shaka dhe nuk mund të rrezikojmë”, shtoi presidenti ukrainas.

 

Tags