Prill 22, 2024 20:48 Europe/Tirane
  • BE nuk do t’i japë Ukrainës sistemet ‘Patriot’

Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Bashkimit Evropian thanë se po shqyrtonin urgjentisht se si t’i siguronin më shumë mbrojtje ajrore Ukrainës. Megjithatë ata nuk bënë ndonjë zotim konkret për t’i dhënë sisteme të mbrojtjes ajrore ‘Patriot’, që së fundmi ka qenë kërkesa kryesore e Kievit.

Në takimin që u mbajt në Luksemburg, ministrat thanë se miratimi nga Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan e ndihmës prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën nuk duhet të krijojë vetëkënaqësi.

“Ne mund të entuziazmohemi për një ditë, por duhet të përgatitemi për betejën që vjen nesër. Prandaj nuk mund të ketë qetësi”, u tha gazetarëve ministri i jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis.

Ndërsa Rusia ka shtuar sulmet ajrore ndaj infrastrukturës energjetike dhe qyteteve të Ukrainës, qeveritë e BE-së janë nën trysni për të dërguar më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore në Kiev.

Që kur Kievi shtoi thirrjet për më shumë sisteme ‘Patriot’ në javët e fundit, Gjermania ka qenë i vetmi vend i BE-së që ka premtuar dërgimin e një sistemi shtesë.

Zyrtarët europianë thonë se është e vështirë për vendet të japin sistemet ‘Patriot’ pasi ato janë pjesë integrale e mbrojtjes kombëtare.

 

Tags