Prill 24, 2024 20:48 Europe/Tirane
  • BE kërkon hetim për varrezat masive në Gaza

Bashkimi Evropian mbështeti kërkesën e Kombeve të Bashkuara për një hetim të pavarur ndaj raportimeve për zbulimin e varreve masive në dy spitale të Gazës të shkatërruar nga bombardimet izraelite.

“Ne jemi shumë të shqetësuar nga zbulimi i raportuar i varreve masive në Khan Junis dhe në spitalin Al-Shifa, ndaj bëjmë thirrje për një hetim të pavarur që të sigurojë llogaridhënie për të gjitha dyshimet dhe të gjitha rrethanat pasi mund të ketë pasur shkelje të të drejtave ndërkombëtare të njeriut,” tha në një deklaratë të mërkurën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Një ditë më parë, zyra e të drejtave të njeriut e OKB-së tha se hetuesit ndërkombëtarë duhet të përfshihen në një hetim për zbulimin e trupave në varret masive në Gaza. Sipas OKB-së, shkatërrimi i dy spitaleve më të mëdhenj në Gaza, Al Shifa dhe kompleksit spitalor Naser në Khan Junis ishte një ngjarje e tmerrshme.

Agjencia e Mbrojtjes Civile e Gazës denoncoi të një ditë më parë se punonjësit e shëndetësisë kishin zbuluar rreth 340 trupa njerëzish të vrarë dhe të varrosur nga forcat izraelite në kompleksin spitalor Naser.

 

Tags