Më shumë se 300 të vdekur nga përmbytjet në Afganistan
Përmbytjet nga shirat e dendur në Afganistan kanë vrarë më shumë se 300 njerëz dhe kanë shkatërruar mbi 1,000 shtëpi, ka njoftuar agjencia e ushqimit të OKB-së.
Bëhet e ditur se përmbytje të shumta kanë goditur Afganistanin gjatë javëve të fundit, kryesisht provincën veriore të Baghlanit.
Zëdhënësi kryesor i qeverisë talebane, Zabihullah Mujahid, tha se “një numër i konsiderueshëm i njerëzve kanë pësuar lëndime” nga përmbytjet.
Si provincat më të prekura, identifikohen Badakhshan, Baghlan, Ghor dhe Herat.
Siç raportohet, qeveria ka urdhëruar mobilizimin e të gjitha burimeve në dispozicion për shpëtimin dhe transportimin e njerëzve.
Richard Bennett, raportues i posaçëm i OKB-së për të drejtat e njeriut në Afganistan, tha se “përmbytjet janë kujtesë e cenueshmërisë së Afganistanit ndaj krizës klimatike dhe se nevojitet ndihmë e menjëhershme dhe planifikim afatgjatë nga talebanët dhe aktorët ndërkombëtarë”.