May 14, 2024 20:44 Europe/Tirane
  • Lavrov kërcënon Perëndimin: Nuk i jepni dot ultimatum Rusisë

Nëse Perëndimi dëshiron të luftojë për Ukrainën në fushën e betejës, Rusia është e përgatitur për këtë, citohet të ketë thënë ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.

“Është e drejta e tyre – nëse duan që ajo të jetë në fushën e betejës, do të jetë në fushën e betejës,” citoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA të ketë thënë Lavrov.

Rusia ka shtuar paralajmërimet për rreziqet e një konfrontimi të drejtpërdrejtë me NATO-n, pasi presidenti francez Emmanuel Macron refuzoi të përjashtonte mundësinë që trupat perëndimore të dërgoheshin në Ukrainë.

Kremlini tha javën e kaluar se dërgimi i trupave të NATO-s në Ukrainë do të ishte potencialisht jashtëzakonisht i rrezikshëm. Presidenti Vladimir Putin ka thënë se kjo mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore.

Lavrov tha se bisedimet e paqes për Ukrainën që do të zhvillohen në Zvicër muajin e ardhshëm pa pjesëmarrjen e Rusisë përbënin një ultimatum për Moskën.

“Nuk mund të flasësh me askënd ashtu, veçanërisht me ne”, tha Lavrov duke shtuar: “Konferenca në Zvicër përbën rikthimin e një ultimatumi për Rusinë.”

 

Tags