May 28, 2024 20:58 Europe/Tirane
  • OBSH: Rafah mund të mbetet pas asnjë spital

 Spitali i vetëm i mbetur në Rafah mund të mos funksionojë më, nëse Izraeli e “pushton plotësisht” qytetin jugor të Rripit të Gazë, tha të martën një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

“Nëse pushtimi do të vazhdojë, ne do ta humbim edhe spitalin e fundit në Rafah”, tha Richard Peeperkorn, përfaqësues i OBSH-së për Gazën dhe Bregun Perëndimor.

Duke folur në margjinat e Asamblesë së OBSH-së në Gjenevë, Peeperkorn tha se mund të ketë edhe shumë të vrarë në Rafah, pas raportimeve se tanket izraelite janë futur në qendër të qytetit.

Peeperkorn tha se nga tre spitalet që ka Rafahu, vetëm njëri “mezi funksionon”.

Ai theksoi se spitali El-Najar, në të cilin në të kaluarën mjekoheshin rreth 700 pacientë në dializë, nuk punon më.

Rafah ishte pikëkalimi kryesor për furnizim me ndihma dhe barna për palestinezët, para se ushtria izraelite ta niste ofensivën në pjesën kufitare të Gazës në fillim të këtij muaji dhe ta merrte në kontroll këtë pikëkalim në pjesën palestineze.

Peekerkorn tha se mbyllja e pikëkalimit ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në mundësitë e OBSH-së për të dërguar barna në Gazë.

“Gati 100 për qind e furnizimeve mjekësore, barnat esenciale, pajisjet, vijnë nga Al-Arish [në Egjipt] përmes pikëkalimit në Rafah. Tani, 60 kamionë po presin në Al-Arish për t’u futur në Gazë”, shtoi ai.

 

Tags