Blinken fillon turneun në Europën Lindore
(last modified Wed, 29 May 2024 18:44:30 GMT )
May 29, 2024 20:44 Europe/Tirane
  • Blinken fillon turneun në Europën Lindore

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti sot në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau. Kjo është ndalesa e parë, e një turneu të shkurtër në Evropë, që synon të forcojë mbështetjen perëndimore për Ukrainën, mes vendeve aleate të NATO-s, si dhe atyre fqinje.

Udhëtimi i kryediplomatit amerikan vjen mes përpjekjeve të Kievit për të frenuar sulmet ruse në lindje, ndërsa presidenti Vladimir Putin ka paralajmëruar se përdorimi nga Ukraina i armëve perëndimore për të goditur brenda Rusisë, mund të shkaktonte një konflikt global.

Gjatë kësaj jave Blinken do të shkojë në Pragë për të marrë pjesë në një mbledhje jo zyrtare të ministrave të jashtëm të NATO-s.

Pas mbi dy vjet lufte që vlerësohet të jetë më vdekjeprurësja në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, aleatët perëndimorë po diskutojnë se si të ndalojnë përparimin e forcave ruse, ndërsa Presidenti Putin po përmend gjithnjë e më shumë rrezikun e një lufte globale.

Një çështje kritike ka qenë nëse aleatët do të lejojnë Ukrainën të përdorë armët prëndimore për të kryer sulme brenda Rusisë, një temë që mund të diskutohet në takimin e Pragës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u kërkoi anëtarëve të aleancës që të lejojnë Ukrainën të përdorë armët e tyre për sulme brenda Rusisë dhe kjo shkaktoi irritimin e Moskës.

 

Tags