Rusia godet sektorin energjitik të Ukrainës
(last modified Sat, 01 Jun 2024 18:45:49 GMT )
Qershor 01, 2024 20:45 Europe/Tirane
  • Rusia godet sektorin energjitik të Ukrainës

Rusia ndërmori një valë sulmesh me dronë dhe raketa kundër Ukrainës duke vënë në objektiv sektorin energjitik dhe infrastrukturën kritike të atij vendi.

Sulmet ruse plagosën të paktën 4 persona, ndërsa Presidenti Volodymyr Zelenskyy bëri thirrje për më shumë ndihmë për mbrojtjen ajrore.

Sulmi i gjashtë i rëndë i Rusisë ndaj kapaciteteve energjitike të Ukrainës që prej muajit mars dëmtoi objekte të këtij sektori në lindje, qendër dhe perëndim të vendit, njoftuan zyrtarët ukrainas.

Forcat ajrore ukrainase pretenduan se eliminuan 35 nga 53 raketat ruse dhe 46 nga 47 dronët që u përdorën për sulmin.

Të shtunën, forcat ruse sulmuan objektet e infrastrukturës energjitike në rajonin lindor të Donetskut, rajonet juglindore të Zaporizhzhias dhe Dnipropetrovskut, në atë qendror Kyrovohrad dhe në rajonin perëndimor, Ivano-Frankivsk, njoftoi ministria e Energjisë.

Gjatë këtij viti, Ukraina ka qenë nën trysni të vazhdueshme dhe në disavantazh ndërsa përballet me vonesa të ndihmave për mbrojtjen ajrore nga Shtetet e Bashkuara, intensifikim të sulmeve ndaj infrastrukturës së saj dhe përpjekjeve të trupave ruse për të zgjeruar sulmin në vijën e frontit.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se po godet strukturat ushtarake-industriale të Ukrainës dhe objektet energjetike të saj në shenjë hakmarrjeje për sulmet e Kievit ndaj objekteve energjetike të Rusisë.

 

Tags