Edhe Kili i bashkohet padisë kundër regjimit sionist
Presidenti i Kilit, Gabriel Burich, ka bërë të ditur se vendi i tij do t'i bashkohet ankesës së Afrikës së Jugut kundër Izraelit.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, duke cituar agjencinë Tass, Burich tha në një fjalim në parlamentin kilian të shtunën me orën lokale: "Ne nuk mund të ndalojmë së shprehuri zemërimin tonë kundër veprimeve të verbëra dhe plotësisht joproporcionale të ushtrisë izraelite kundër qytetarëve të pafajshëm, veçanërisht grave dhe fëmijëve palestinezë. Këto masa kërkojnë një përgjigje vendimtare nga bashkësia ndërkombëtare."
Presidenti i Kilit shtoi: "Prandaj, përveç dërgimit të ndihmës humanitare në Palestinë, tërheqjes së ambasadorit tonë nga Izraeli, paraqitjes së një ankese kundër Izraelit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ne i bashkohemi edhe ankesës së Afrikës së Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë."
Më parë, Afrika e Jugut kishte paraqitur një ankesë kundër regjimit sionist në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkelje të Konventës së Gjenocidit.
Më pas, një numër vendesh, përfshirë Turqinë, Kolumbinë, Meksikën, Nikaraguan, Libinë, Malajzinë, Jordaninë dhe Bolivinë donin t'i bashkoheshin këtij rasti.
Vendimi paraprak i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me ankesën e Afrikës së Jugut kundër regjimit sionist u dha të premten, më 26 janar. Ky vendim e detyron regjimin sionist të marrë masa për të parandaluar gjenocidin në Gaza.
Nga ana tjetër, Karim Khan, prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, kërkoi arrestimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të luftës të regjimit sionist Yoav Gallant me akuzën e kryerjes së krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.