Sulm me koktej molotovi në ambasadën izraelite në Bukuresht
Një shtetas i huaj është arrestuar në Bukuresht të Rumanisë pasi dyshohet se ka sulmuar ambasadën izraelite me koktej molotovi, duke shkaktuar zjarr të vogël, por pa viktima.
Bëhet e ditur se Shërbimi i Inteligjencës Rumune e ka kapur të dyshuarin 34 vjeçar, përpara se policia të shkonte në vendngjarje, duke shtuar se i dyshuari është përpjekur t’i vinte flakën edhe vetes.
Siç raportohet, i dyshuari është shtetas sirian, raporton AP.
Një zëdhënës i policisë është deklaruar se incidenti ka qenë i motivuar nga ankesa personale e jo nga konteksti i luftës së vazhdueshme të Izraelit në Gazë.
Incidenti është konfirmuar edhe nga vetë ambasada izraelite e cila në një deklaratë zyrtare tha se “i dyshuari kishte marrë një koktej molotovi, e kishte ndezur dhe e kishte hedhur atë drejt hyrjes së ambasadës”.
Tani policia rumune po heton për zbardhjen e rastit.