Qershor 04, 2024 20:40 Europe/Tirane
  • Laburistët drejt pushtetit në Britani

Në Britani konservatorët në pushtet pritet të pësojnë humbjen më shkatërruese në historinë e tyre, ndërsa opozita mund të arrijë fitoren më të thellë në 100 vitet e fundit, që kur udhëheqësi laburist Stanley Baldwin fitoi me një shumicë prej 208 deputetësh më shumë se konservatorët në vitin 1924.

Sipas sondazhit të Yougov dhe Skynews, laburistët mund të kenë në parlamentin e ri 422 deputetë nga 222, pra 200 më shumë se në zgjedhjet e 2019, të humbura prej tyre dhe të fituara nga Boris Johnson.

Kjo do të thotë se laburistët mund të arrijnë një fitore akoma më të thellë se ajo e Toni Bler në 1997. Konservatorët e Rishi Sunak mund të përfundojnë me vetëm 140 deputetë ose 232 më pak se ç’kanë aktualisht, ndërkohë që pritet të fshihen nga harta politike në Londër, verilindje dhe veriperëndim të Anglisë dhe në Uells.

Mendohet se 12 ministra të kabinetit që nga ai i Mbrojtjes dhe Ekonomisë të humbasin në zonat e tyre elektorale, dhe e dyshimtë mbetet edhe zona ku konkurron kryeministri Sunak.

Konservatorët duket se nuk kanë shanse për mbijetesë politike, ndërkohë që udhëheqësi i opozitës Sir Keir Starmer, është në pozitën e duhur për të fituar zgjedhjet, edhe pse jo pak britanikë mendojnë se fitorja mund të jetë për shkak të dështimeve të qeverisë aktuale sesa meritave dhe politikave të opozitës.

 

Tags