Starmer zotohet t’i japë fund dhunës dhe kaosit në Britani
(last modified Mon, 05 Aug 2024 18:48:36 GMT )
Gusht 05, 2024 20:48 Europe/Tirane
  • Starmer zotohet t’i japë fund dhunës dhe kaosit në Britani

Kryeministri britanik, Keir Starmer, do të mbajë një takim urgjent me ministra dhe zyrtarë të lartë të zbatimit të ligjit, ndërsa ai kërkon t’i japë fund dhunës në rrugë dhe sulmeve të ditëve të tëra mbi hotelet ku strehohen azilkërkuesit.

Paligjshmëria ka përfshirë Britaninë gjatë gjashtë ditëve të fundit pasi aktivistët e krahut të djathtë po përdorin rrjetet sociale për të nxitur zemërimin për një sulm me thikë në një klasë kërcimi që la të vdekur tre vajza dhe shumë të tjera të plagosur.

Shumë nga sulmet kanë shënjestruar emigrantët dhe myslimanët.

Së fundmi, turmat e zemëruara sulmuan dy hotele që përdoren për të strehuar azilkërkuesit, duke thyer xhamat dhe ndezur zjarre.

kryeministri britanik u zotua se qeveria e tij do të bëjë “çfarëdo që duhet për t’i sjellë banditët para drejtësisë”.

“Nuk ka asnjë justifikim, asnjë, për marrjen e këtij veprimi dhe të gjithë njerëzit me mendje të drejtë duhet të dënojnë këtë lloj dhune”, tha Starmer duke shtuar se do t’i japë fund kaosit.

Nëdrkohë, qeveria britanike ka kritikuar Elon Musk për pretendimet e tij se “lufta civile është e pashmangshme” në Britani të Madhe, duke thënë se nuk ka “asnjë justifikim për komente të tilla”.

“Po flasim për një pakicë banditësh që nuk flasin për Britaninë”, tha zëdhënësi i qeverisë britanike.

Kjo është hera e gjashtë që nga tetori që Musk pretendon se lufta civile po shpërthen në Evropë.

 

Tags