Blinken: Marrëveshja për Gazën duhet të arrihet në ditët e ardhshme
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha se Uashingtoni dëshiron të arrijë një marrëveshje për Gazën në ditët e ardhshme dhe dëshiron që palët ta finalizojnë marrëveshjen tani.
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i cili të martën mbërriti në Katar nga Egjipti dhe u takua me emirin e këtij vendi, Sheikh Tamim, shtoi: "Kam dëgjuar drejtpërdrejt nga Netanyahu se Izraeli e ka pranuar ofertën e SHBA-së dhe shpreson që Hamasi të bëjë të njëjtën gjë. Pasi Hamasi të bjerë dakord me propozimin e ri të SHBA-së, të gjitha palët duhet të bien dakord për detajet e zbatimit të marrëveshjes".
Pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se Izraeli nuk do të tërhiqte ushtrinë e tij nga Gaza, Blinken tha se Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar gjithmonë një okupim ushtarak afatgjatë të Gazës.
Sipas The Guardian, propozimet e SHBA-së për t'i dhënë fund luftës në Gaza përfshijnë një armëpushim fillestar gjashtë-javor, gjatë të cilit një numër i kufizuar pengjesh gra, të moshuar dhe të sëmurë izraelitë do të lirohen në këmbim të lirimit të palestinezëve nga burgjet izraelite.
Derisa negociatorët të fillojnë një fazë të dytë në të cilën do të kthehen ushtarët dhe trupat e të vrarëve, forcat izraelite do fillojnë të tërhiqen nga Gaza dhe civilët palestinezë të zhvendosur do lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre në Rripin e Gazës.
Një pikë e madhe pengese në marrëveshje ka qenë kërkesa e Hamasit për një tërheqje të plotë të forcave izraelite nga të gjitha pjesët e Gazës, të cilën Izraeli thuhet se e ka refuzuar.
Gazeta New York Times shkruante: Në bisedimet e armëpushimit mes Hamasit dhe regjimit sionist, propozimi i ri amerikan e bën Tel Avivin të mbajë një pjesë të forcave të tij në aksin Filadelfia në kufirin Gaza-Egjipt dhe ky propozim ka gjasa të refuzohet nga Hamasi për shkak se kjo lëvizje ka thënë se nuk do t'i tolerojë sionistët në këtë rajon. Gjithashtu edhe Egjipti ka shprehur pakënaqësinë e tij për këtë çështje.