Britania pezullon dërgimin e disa armëve drejt Izraelit
(last modified Tue, 03 Sep 2024 07:04:43 GMT )
Shtator 03, 2024 09:04 Europe/Tirane
  • Britania pezullon dërgimin e disa armëve drejt Izraelit

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy ka njoftuar se Britania e Madhe do të ndalojë shitjen e disa armëve për Izraelin.

Duke bërë një deklaratë në Dhomën e Komunave, Lammy tha se do të pezullohen rreth 30 nga afërsisht 350 lloje të armëve që Britania eksporton drejt Izraelit, shkruan skynews.

Eksportet përfshijnë pajisje të destinuara për përdorim në Gaza, të tilla si komponentë për aeroplanë ushtarakë, helikopterë, dronë dhe mjete që “lehtësojnë shënjestrimin tokësor”, tha ai.

Sekretari i Jashtëm britanik tha se pas këshillave të pavarura ligjore, ekziston një “rrezik i qartë” që disa eksporte të Mbretërisë së Bashkuar në Izrael mund të përdoren për të kryer një “shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar” në Gaza.

Ai tha se veprimet e Izraelit në Gaza “vazhdojnë të çojnë në humbje të jashtëzakonshme të jetëve, shkatërrim të gjerë të infrastrukturës civile dhe vuajtje të jashtëzakonshme”.

Ministri tha se pezullimi i disa eksporteve nuk ishte “një ndalim i përgjithshëm” apo një “embargo armësh”.

“Një numër eksportesh të cilat qeveria ka vlerësuar se nuk do të përdoren në luftën Izrael-Hamas do të vazhdojnë të dërgohen drejt Tel Avivit", shtoi Lammy.

Britania e Madhe dhe SHBA-ja janë ndër furnizuesit kryesor me armatim të Izraelit.

 

Tags