Kryeministri britanik kundërshton ndalimin e dërgimit të armëve për regjimin sionist
(last modified Tue, 08 Oct 2024 07:53:51 GMT )
Tetor 08, 2024 09:53 Europe/Tirane
  • Kryeministri britanik kundërshton ndalimin e dërgimit të armëve për regjimin sionist

Megjithë përshkallëzimin e dhunës në Rripin e Gazës, në Bregun Perëndimor dhe në Liban, të hënën kryeministri britanik Keir Starmer refuzoi me vendosmëri thirrjet për ndalimin e shitjes së armëve për regjimin sionist.

Sipas raportit të agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, duke cituar nga redaksia në gjuhën angleze e agjencisë turke të lajmeve Anadolu Ajansi, kryeministri britanik Keir Starmer, gjatë pranisë së tij në Dhomën e Komunave, në përgjigje të pyetjes së Zarah Sultana, përfaqësuese në parlamentin e këtij vendi, nëse do të ndalojë apo jo shitjen e armëve për Izraelin për shkak të akuzave për krime lufte, ai u përgjigj me vendosmëri: Jo!

Sultana, një anëtare e pavarur e parlamentit, tërhoqi vëmendjen e ligjvënësve britanikë për krizën humanitare në Gaza, ku rreth 42,000 palestinezë janë martirizuar në një konflikt njëvjeçar.

Ajo vuri në dukje hulumtimin e ekspertëve mjekësorë amerikanë, të cilët njoftuan se numri i të vdekurve në Gaza tanimë i ka tejkaluar 118,000 persona.

Sultana shprehu gjithashtu shqetësimin për vrasjen e 2,000 personave në Liban, ku sulmet ajrore izraelite filluan në fund të muajit të kaluar, të ndjekura nga një ofensivë tokësore.

Ligjvënësja i bëri thirrje kryeministrit Starmer që t'i japë fund "bashkëfajësisë britanike në krimet e luftës" duke ndaluar shitjet e armëve në Izrael, duke përmendur në mënyrë specifike dërgimin e avionëve luftarakë F-35.

Edhe pse Starmer e pranoi seriozitetin e situatës në rajon, ai përsëri theksoi qëndrimin e qeverisë së tij për dërgimin e armëve në Izrael.

Starmer, qeveria e të cilit pezulloi 30 nga 350 licencat e eksportit të armëve në Izrael në shtator, pretendoi: "Ndalimi i të gjitha shitjeve të armëve nuk do t'u shërbente qëllimeve të mbrojtjes."