Papa bën thirrje për hetim mbi sulmet e Izraelit në Gaza
(last modified Sun, 17 Nov 2024 18:05:32 GMT )
Nëntor 17, 2024 19:05 Europe/Tirane
  • Papa bën thirrje për hetim mbi sulmet e Izraelit në Gaza

Lideri i katolikëve të botës Papa Françesku për herë të parë trajtoi në një libër pretendimet për gjenocidin e vazhdueshëm të Izraelit ndaj palestinezëve në Gaza, duke kërkuar hetim të mëtejshëm nëse veprimet e Izraelit përmbushin përkufizimin e gjenocidit.

Ky libër përfshin ndërhyrjen e tij më të fundit dhe më të drejtpërdrejtë në luftën më shumë se njëvjeçare në Gaza, shkruajnë mediat.

“Sipas disa ekspertëve, ajo që po ndodh në Gaza ka karakteristikat e gjenocidit”, citohet të ketë shkruar Papa në ekstraktet e botuara të dielën në të përditshmen italiane La Stampa.

Papa argjentinas ka shprehur shpesh keqardhjen për numrin e viktimave të sulmeve të Izraelit në Gaza, me ministrinë e shëndetësisë së Gazës që ka theksuar se bëhet fjalë për të paktën 43,846 persona të vrarë, shumica gra dhe fëmijë.

Por thirrja e tij për një hetim shënon herën e parë që Papa ka përdorur publikisht termin gjenocid në kontekstin e operacioneve ushtarake izraelite në territorin palestinez.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Izraeli është subjekt i akuzave për gjenocid që nga fillimi i luftës.

Afrika e Jugut ka paraqitur një padi për gjenocid përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me mbështetjen e disa vendeve, duke përfshirë Turqinë, Spanjën dhe Meksikën.