Dekreti i ri bërthamor i Putinit
Presidenti rus Vladimir Putin ka përditësuar doktrinën bërthamore të Rusisë, dy ditë pasi homologu i tij amerikan Joe Biden i dha Ukrainës leje për të goditur objektiva brenda Rusisë me armë të prodhuara nga SHBA.
Sipas doktrinës së përditësuar të publikuar të martën, Moska do të konsiderojë agresionin nga çdo shtet jo-bërthamor – por me pjesëmarrjen e një vendi bërthamor – si një sulm të përbashkët ndaj Moskës.
“Ndër kushtet që justifikojnë përdorimin e armëve bërthamore është lëshimi i raketave balistike kundër Rusisë”, sipas këtij dekreti.
Kremlini filloi këtë raund të ri të retorikës bërthamore të martën, duke thënë se doktrina ushtarake e rishikuar, teorikisht do të ulte pragun për përdorimin të armëve bërthamore.
Kjo nevojë për përshtatje lidhet drejtpërdrejt me shqetësimet e shprehura nga Vladimir Putin, i cili percepton rreziqet që burojnë nga Perëndimi.
Ndërkohë, për këtë situatë ka reaguar edhe Dmitri Medvedev, ish-presidenti rus dhe nënkryetar aktual i Këshillit të Sigurimit.
Në mediat sociale, ai theksoi se, sipas rishikimit të fundit të doktrinës bërthamore ruse, përdorimi i raketave me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina, të furnizuara nga vendet e NATO-s, tani mund të interpretohet si një sulm i NATO-s kundër Rusisë.