Erdogan kundër vendimit të SHBA-së: Do ndezë konfliktin!
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan nuk pajtohet me vendimin e SHBA-së për t`i lejuar Ukrainës përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi brenda territorit të Rusisë.
Për kreun e shtetit turk, një lëvizje e tillë vetëm s ai hedh benzinë zjarrit e do ta ndezë konfliktin akoma edhe më shumë. Kievi nuk vonoi por menjëherë të martën i përdori raketat amerikane me rreze të gjatë, ATACMS, për të kryer sulme në tokën ruse, duke e shfrytëzuar lejen që administrata në largim e presidentit amerikan, Joe Biden, ia dha në ditën e 1.000-të të luftës. Në të njëjtën ditë, shefi i Kremlinit Vladimir Putin e ndryshoi doktrinën bërthamore të Rusisë, duke e ulur pragun për përdorimin e armëve bërthamore nga Moska.
Turqia, anëtare e NATO-s, është shprehur haptazi se mbështet integritetin territorial të Ukrainës, dhe e ka dënuar pushtimin rus. Ankaraja madje i ka dhënë Kievit edhe mbështetje ushtarake. Megjithatë, nga ana tjetër Turqia, fqinje e Rusisë dhe Ukrainës në Detin e Zi, i kundërshton sanksionet e Perëndimit kundër Moskës, me të cilën vazhdon të mbajë marrëdhënie të ngushta në fushat e turizmit, energjisë dhe mbrojtjes.