Putin thotë se lufta në Ukrainë po bëhet globale
Sipas agjencisë Reuters të lajmeve presidenti Vladimir Putin tha se lufta në Ukrainë po përshkallëzohet drejt një konflikti global pasi Shtetet e Bashkuara dhe Britania lejuan Ukrainën të godiste Rusinë me armët e tyre dhe paralajmëroi Perëndimin se Moska mund të kundërpërgjigjet.
Rusia, tha Putin, u është përgjigjur përdorimit të raketave amerikane dhe britanike duke gjuajtur një lloj të ri rakete balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi kundër një objekti ushtarak ukrainas. Këtë mund ta pasojnë më shumë raketa, paralajmëroi Putin. Ai tha se civilët do të paralajmërohen përpara sulmeve të mëtejshme me armë të tilla. Pas miratimit nga administrata e Presidentit Joe Biden, Ukraina më 19 nëntor goditi Rusinë me gjashtë raketa ATACMS të prodhuara nga SHBA dhe me raketa britanike Storm Shadow dhe më 21 nëntor me raketa HIMARS të prodhimit amerikan, tha Putin.
"Që nga ai moment, siç e kemi theksuar në mënyrë të përsëritur, konflikti rajonal në Ukrainë i provokuar më parë nga Perëndimi ka shkaktuar përmasa të një konflikti me karakter global," tha Putin në një fjalim drejtuar kombit të transmetuar nga televizioni shtetëror rus. Shtetet e Bashkuara, tha Putin, po e shtyjnë botën drejt një konflikti global. Dhe në rast të përshkallëzimit të veprimeve agresive, ne gjithashtu do të përgjigjemi me vendosmëri dhe në mënyrë të qartë”, tha ai.
Putin tha se sulmi me raketa ukrainase ATACMS ka dështuar dhe nuk ka shkaktuar ndonjë dëm serioz. Por sulmi me Storm Shadow në rajonin e Kurskut më 21 nëntor ishte i drejtuar kundër një baze komandimi dhe çoi në vdekje dhe plagosje, tha Putin. “Përdorimi nga armiku i armëve të tilla nuk është në gjendje të ndryshojë rrjedhën e veprimeve ushtarake në zonën e operacionit special ushtarak”, tha Putin.
“Ne e konsiderojmë si e drejtë e jona që të përdorim armët tona kundër objekteve ushtarake të atyre vendeve që lejojnë përdorimin e armëve të tyre kundër objekteve tona”, tha Putin. "Nëse dikush dyshon në këtë, atëherë ata po bëjnë gabim – pasi gjithmonë do të ketë një përgjigje." Rusia kontrollon 18% të Ukrainës duke përfshirë të gjithë Krimenë, të cilën e aneksoi në vitin 2014, 80% të Donbasit - rajonet Donetsk dhe Luhansk - dhe më shumë se 70% të rajoneve Zaporizhzhia dhe Kherson, si dhe pak më pak se 3% të rajonit Kharkiv dhe një pjesë të rajonit Mykolaiv. Ukraina dhe Perëndimi thonë se sulmi i vitit 2022 ishte një përpjekje e stilit perandorak për të rrëmbyer territorin sovran të Ukrainës dhe ata kanë frikë se një ditë nëse Putin fiton në Ukrainë, Rusia mund të përpiqet të sulmojë një anëtar të NATO-s.
Putin tha se Moska kishte testuar një raketë të re balistike hipersonik jo-bërthamore me rreze të mesme të njohur si "Oreshnik", duke e gjuajtur atë në një qendër raketore dhe mbrojtjeje në qytetin ukrainas Dnipro, ku ndodhet kompania e raketave hapësinore Pivdenmash, e njohur nga rusët si Yuzhmash. Ai tha se sulmi ndaj kësaj qendre ishte i suksesshëm. Rusia, shtoi ai, po zhvillon raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme në përgjigje përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër në Evropë dhe në Lindjen e Largët. "Unë besoj se Shtetet e Bashkuara me një pretekst të pa kuptueshëm, po bëjnë një gabim duke shkatërruar në mënyrë të njëanshme traktatin për eliminimin e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër mesme të vitit 2019," tha Putin, duke iu referuar Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF).
Shtetet e Bashkuara në vitin 2019 u tërhoqën zyrtarisht nga Traktati historik i vitit 1987 (INF) me Rusinë pasi thanë se Moska po shkelte marrëveshjen, një akuzë kjo të cilën Kremlini e mohoi.
Putin nënshkroi një urdhër për zhvillimin e raketave të ndaluara më parë nga traktati INF. Ai tha se veprimet e ardhshme të Rusisë do të varen nga veprimet e Perëndimit - dhe kërcënimet kundër Rusisë.
“Më lejoni t'ju kujtoj se Rusia në mënyrë të njëanshme është zotuar vullnetarisht të mos vendosë raketa me rreze të mesme dhe më të shkurtër veprimi, deri në kohën kur armët amerikane të këtij lloji të shfaqen në çdo rajon të botës.