Ministri rus i Mbrojtjes viziton Korenë e Veriut
https://parstoday.ir/sq/news/world-i165266-ministri_rus_i_mbrojtjes_viziton_korenë_e_veriut
Ministri rus i Mbrojtjes Andrey Belousov mbërriti në Korenë e Veriut të premten për të diskutuar me liderët ushtarakë dhe politikë të vendit dhe për të forcuar qëndrimin e dy vendeve mbi luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Nëntor 30, 2024 09:59 Europe/Tirane
  • Ministri rus i Mbrojtjes viziton Korenë e Veriut

Ministri rus i Mbrojtjes Andrey Belousov mbërriti në Korenë e Veriut të premten për të diskutuar me liderët ushtarakë dhe politikë të vendit dhe për të forcuar qëndrimin e dy vendeve mbi luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Sipas rrjetit Euronews, ministri rus i Mbrojtjes Andrey Belousov do të takohet dhe do të bisedojë me një numër "zyrtarësh ushtarakë dhe politikë" të Koresë së Veriut.

Ushtria ruse nuk ka dhënë ende më shumë detaje rreth kësaj çështjeje kur bëri të ditur lajmin. Belouso, i cili mbërriti papritur në Korenë e Veriut të premten, më 29 nëntor, përshëndeti forcimin e marrëdhënieve "në të gjitha dimensionet".

Në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes së Rusisë, Belousov, në një takim me homologun e tij koreano-verior, No Kwang-chol, tha: "Sot, marrëdhëniet miqësore midis Rusisë dhe Koresë së Veriut po forcohen në mënyrë aktive në të gjitha dimensionet, përfshirë ato të bashkëpunimit ushtarak."

Rusia dhe Koreja e Veriut janë angazhuar për sigurinë e njëra-tjetrës nëpërmjet një pakti mbrojtës të nënshkruar në qershor dhe të ratifikuar së fundmi.

Të dy vendet janë nën sanksione ndërkombëtare; Pheniani është nën sanksione për zhvillimin e arsenalit të tij bërthamor dhe Moska për sulmin e saj ndaj Ukrainës.

Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj, Koreja e Veriut ka dërguar më shumë se 10 mijë ushtarë në Rusi gjatë javëve të fundit, disa prej të cilëve marrin pjesë në operacione luftarake.

Koreja e Veriut është akuzuar gjithashtu se ka furnizuar Rusinë me sisteme artilerie, raketa dhe pajisje të tjera ushtarake, duke lejuar potencialisht presidentin rus Vladimir Putin të zgjasë më shumë këtë luftë gati trevjeçare.