Papa u bën thirrje rebelëve sirianë ta stabilizojnë vendin
Papa Francesku u ka bërë thirrje rebelëve sirianë që rrëzuan qeverinë e Assadit, që të stabilizojnë vendin dhe të qeverisin në një mënyrë që do të ”promovojë stabilitet dhe unitet në vend”.
“Lutem për popullin sirian dhe shpresoj të jetojnë në paqe dhe siguri me më të dashurit e tyre, dhe fetë e tjera të jenë urë lidhëse në miqësi dhe respekt të ndërsjellë për të mirën e kombit që e preku një luftë shumë vjeçare”, tha të mërkurën Papa Francesku në Vatikan.
Sirianët e besimit Islam përbëjnë 90 për qind të popullsisë së këtij vendi, që u qeveris për shumë vite nga Bashar al-Assad. Vatikani vlerëson se rreth 300 mijë të krishterë jetojnë në popullatën prej 25 milionëshe të Sirisë. Në anën tjetër, lideri i rebelëve sirianë është zotuar të respektojë të drejtat e të gjithëve që jetojnë në Siri dhe ka bërë thirrje për unitet.