Ministri turk i Mbrojtjes dënon sulmet izraelite në Siri
Ministri turk i Mbrojtjes Yasar Guler tha se sulmet izraelite në Siri po përshkallëzojnë tensionet dhe po shkaktojnë destabilitet në rajon.
Ai sulmet e Izraelit i përshkroi si "një pasqyrë e qartë e një mendësie pushtuese" dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos heshtë. "Komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë këtë fazë historike që hap një dritare të rëndësishme mundësish në Siri," u tha Guler ligjvënësve në kryeqytetin Ankara. “ Ne si Turqi, mbështesim me vendosmëri integritetin territorial të Sirisë, Libanit dhe Palestinës dhe theksojmë nevojën urgjente për t’i dhënë fund turpit njerëzor që po ndodh në Gaza dhe për të vendosur një armëpushim të qëndrueshëm në rajon”, shtoi ai. Forcat izraelite kanë pushtuar të ashtuquajturën zonë neutrale, e cila ndan Lartësitë e pushtuara të Golanit nga pjesa tjetër e Sirisë, lëvizje kjo që është në kundërshtim me marrëveshjen e vitit 1974. Forcat pushtuese kanë hyrë në disa qytete si Quneitra, duke evakuuar banorët me forcë. Avionët izraelitë kanë kryer me qindra sulme ajrore kundër shumë objektivave në të gjithë Sirinë.