Pezullohen fluturimet nga Republika e Azerbajxhanit drejt disa qyteteve ruse
(last modified Mon, 30 Dec 2024 06:55:57 GMT )
Dhjetor 30, 2024 07:55 Europe/Tirane
  • Pezullohen fluturimet nga Republika e Azerbajxhanit drejt disa qyteteve ruse

Rrëzimi i aeroplanit të pasagjerëve të Republikës së Azerbajxhanit bëri që Baku të rishqyrtojë fluturimet e saj drejt disa qyteteve ruse.

Sipas agjencisë së lajmeve Mehr, duke cituar agjencinë e lajmeve Reuters, Republika e Azerbajxhanit njoftoi se do të pezullojë fluturimet e veta drejt disa qyteteve ruse.

Baku planifikon të pezullojë fluturimet e saj për në 7 qytete ruse, veçanërisht në qytetet që ndodhen në perëndim të këtij vendi dhe në afërsi tê Ukrainës.

Ky vendim është marrë pasi mediat perëndimore pretenduan se avioni i pasagjerëve i Republikës së Azerbajxhanit, i cili po fluturonte për në Grozny të Rusisë, ishte vënë në shënjestër të sistemit mbrojtës të këtij vendi.

Gjithashtu, Ilham Aliyev, presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, i cili në një deklaratë foli për arsyet e rrëzimit të avionit të këtij vendi në afërsi të qytetit Aktau të Kazakistanit, i tha palës ruse se Moska, duke kërkuar falje dhe duke e pranuar gabimin, duhet të ndëshkojë autorët e incidentit dhe të paguajë dëmshpërblim.

Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit vuri në dukje: "Natyrisht, avioni ynë u shënjestrua aksidentalisht. Natyrisht, nuk mund të flasim për një akt të qëllimshëm terrorizmi, por Rusia duhet të pranojë fajin e vet dhe përgjegjësit për këtë incident duhet të ndëshkohen dhe të ndiqen penalisht."

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dje, në bisedën e tij telefonike me presidentin azerbajxhanas Aliyev, i kërkoi falje homologut të tij për rrëzimin e avionit.

Kazakistani njoftoi të dielën se kutia e zezë e aeroplanit azerbajxhanas që u rrëzua pranë qytetit Aktau, u dërgua në Brazil për hetim.

Avioni i pasagjerëve i Republikës së Azerbajxhanit, i cili po fluturonte nga Baku për në qytetin rus Grozny, u rrëzua të mërkurën e kaluar në qytetin Aktau, që ndodhet në jugperëndim të Kazakistanit, ku si pasojë 38 pasagjerë vdiqën dhe 29 të tjerë mbijetuan.