Presidentja meksikane: Shtetet e Bashkuara duhet të quhen Amerika Meksikane
https://parstoday.ir/sq/news/world-i166646-presidentja_meksikane_shtetet_e_bashkuara_duhet_të_quhen_amerika_meksikane
Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum, në një deklaratë, duke kritikuar vërejtjet e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump për riemërtimin e Gjirit të Meksikës në "Gjiri i Amerikës", sugjeroi që emri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të ndryshohet në "Amerika Meksikane".
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Janar 09, 2025 06:30 Europe/Tirane
  • Presidentja meksikane: Shtetet e Bashkuara duhet të quhen Amerika Meksikane

Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum, në një deklaratë, duke kritikuar vërejtjet e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump për riemërtimin e Gjirit të Meksikës në "Gjiri i Amerikës", sugjeroi që emri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të ndryshohet në "Amerika Meksikane".

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, duke cituar agjencinë franceze të lajmeve AFP, presidentja meksikane i është përgjigjur propozimit të Donald Trump për të riemërtuar Gjirin e Meksikës në "Gjiri i Amerikës" me një kundërpropozim për të ndryshuar emrin e Amerikës së Veriut.

Gjatë konferencës së saj për shtyp të mërkurën, presidentja meksikane shfaqi një hartë të botës të shekullit të 17-të që e tregonte Amerikën e Veriut si "Amerika meksikane".

Duke vënë në dukje se Gjiri i Meksikës është një emër i njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ajo iu drejtua Trumpit: “Pse nuk i quajmë Shtetet e Bashkuara 'Amerikë Meksikane'? Duket mirë, apo nuk është kështu?”

Trump, i cili do të betohet për mandatin e tij të dytë më 20 janar, tha të martën se ai planifikon ta ndryshojë emrin e Gjirit të Meksikës në "Gjiri i Amerikës".

Gjithashtu, edhe ministri meksikan i Ekonomisë, Marcelo Ebrard, në përgjigje të vërejtjeve të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump për ndryshimin e emrit të Gjirit të Meksikës në "Gjiri i Amerikës" dhe se ky vend i Amerikës Latine "drejtohet nga kartelet", tha: “Emri i Gjirit të Meksikës nuk do të ndryshohet. A dëshiron të ndihmosh? Mos dërgo armë!”

Trump hodhi idenë e riemërtimit të rrugës ujore gjatë një konference për shtyp të martën, pasi u ankua për kartelet që përdorin Gjirin e Meksikës për të transportuar drogë. Ai shtoi: “Ne duam të ndryshojmë emrin e Gjirit të Meksikës në 'Gjiri i Amerikës. 'Gjiri i Amerikës', sa emër i bukur dhe i përshtatshëm!”

Trump ka deklaruar vazhdimisht se një nga veprimet që do të ndërmarrë menjëherë pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë do të jetë përcaktimi i grupeve meksikane të trafikut të drogës si organizata të huaja terroriste.