Raportuesja e OKB-së: Polonia duhet të arrestojë Netanyahun
Raportuesja e posaçme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Francesca Albanese, deklaroi se Polonia duhet t'u përmbahet parimeve të drejtësisë ndërkombëtare dhe tha se Varshava duhet të arrestojë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu nëse ai viziton këtë vend.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, duke cituar agjencinë e lajmeve Anadolu Ajansi, Albanese tha të premten: "Vendeve anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale u kërkohet të arrestojnë personat për të cilët Gjykata ka lëshuar urdhër-arrest."
Ajo shtoi: "Polonia, e cila ka dënuar veprimin e Mongolisë në mosarrestimin e presidentit rus Vladimir Putin, duhet të arrestojë Netanyahun. Zbatimi selektiv i ligjeve shkatërron multilateralizmin dhe universalizmin e drejtësisë ndërkombëtare."
Ndërkohë, një numër protestuesish demonstruan të premten në Varshavë, kryeqytetin e Polonisë, kundër vendimit të qeverisë për t'i dhënë imunitet Netanyahut dhe për të mos e arrestuar atë.
Të enjten, më 21 nëntor 2024, Gjykata Penale Ndërkombëtare (e Hagës) paditi Netanyahun dhe ish-ministrin e luftës të regjimit sionist Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit duke lëshuar një urdhër arresti për ta.
Kjo, ndërkohë që kryeministri polak ka thënë se pavarësisht urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, Benjamin Netanyahu nuk do të arrestohet apo ndalohet në vendin e tij.
Qeveria polake ka garantuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk do të arrestohet nëse merr pjesë në 80-vjetorin e çlirimit të kampit të vdekjes në Aushvic.
Presidenti polak Andrzej Duda, i cili ka qenë anëtar i partisë opozitare "Ligj dhe Drejtësi", në një letër drejtuar qeverisë këtë javë, ka kërkuar që nëse Benjamin Netanyahu merr pjesë në ceremoninë përkujtimore të Aushvicit më 27 janar, pavarësisht vendimit të lëshuar kundër tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, të mos arrestohet.