Kalifornia në ditën e shtatë të zjarrit
Shërbimi Kombëtar i Meteorologjisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se në rajon kanë filluar të fryjnë erëra të forta dhe zjarret do të intensifikohen.
Ky institucion ka lëshuar një paralajmërim për "situatën e veçantë dhe të rrezikshme" në Los Angeles. Rikthimi i erërave të forta të njohura si Santa Anas së bashku me lagështinë jashtëzakonisht të ulët midis 8 dhe 15 për qind mund të përshpejtojë përhapjen e vatrave të tre zjarreve të mëdha që janë ende të furishme në qytetin e dytë më të madh të Amerikës. Nga ky zjarr deri më tani janë djegur 14 mijë e 117 hektarë, kanë humbur jetën 24 persona, ndërsa 16 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Deri tani vetëm 33 % e zjarrit është vënë nën kontroll. Zyrtarët kanë paralajmëruar se erërat e Santa Ana mund të kthehen dhe kanë lëshuar një paralajmërim kritik për vazhdimin e zjarrit deri të mërkurën. Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave të SHBA (FEMA) njoftoi se do të duhen më shumë se gjashtë muaj për të pastruar mbeturinat nga zjarri shkatërrues në Los Angeles të Kalifornisë. Nga ana tjetër, autoritetet amerikane njoftuan se rreth 50 persona janë arrestuar nga policia në lagjet e Los Anxhelosit të prekur nga zjarret në Eaton dhe Palisade, të cilët bredhin për të grabitur pronat e njerëzve duke shkelur ligjin. Zjarri në shtetin amerikan të Kalifornisë vazhdon, ndërkohë që shqetësimet nga erërat e forta dhe ndërprerje e mundshme e ndihmave pas administratës së re, e kanë komplikuar situatën edhe më shumë. Zjarri shkatërrues në Los Angeles në shtetin e Kalifornisë në sezonin e ftohtë dhe gjatë tranzicionit të pushtetit politik nga demokratët tek republikanët, po bëhet një nga zjarret më të shtrenjta në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas një media amerikane, dëmi llogaritet të kushtojnë 150 miliardë dollarë. Shkaku zyrtar i zjarrit ende nuk është përcaktuar.