Panamaja paraqet ankesë në OKB për kërcënimet e Trump
Qeveria panameze është ankuar në Kombet e Bashkuara për kërcënimet "shqetësuese" të presidentit amerikan Donald Trump për të kontrolluar Kanalin e Panamasë pas më shumë se dy dekadash të kontrollit të rrugës ujore ndëroqeanike nga Panamaja.
Lëvizja pasoi deklaratat e Donald Trump në fjalimin e tij të inaugurimit, në të cilat ai pretendoi se Kina po shfrytëzonte në mënyrë efektive Kanalin e Panamasë për shkak të pranisë së saj në rritje rreth rrugës ujore, të cilën Shtetet e Bashkuara ia dorëzuan Panamasë në fund të vitit 1999 nën një traktat të nënshkruar në vitin 1977 nga ish-presidenti i SHBA Jimmy Carter.
“Ne nuk ia dhamë Kinës, ia dhamë Panamasë dhe po e marrim mbrapsht”, tha presidenti Trump, i cili nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake për të rimarrë kanalin.
Në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, të martën, më 21 janar, qeveria e Panamasë thirri një nen të Kartës së Kombeve të Bashkuara, i cili ndalon çdo anëtar që "të përdorë kërcënimin ose përdorimin e forcës" kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të një anëtari tjetër.
Letra i kërkon Antonio Guterres që çështjen t'ia referojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pa kërkuar që të thirret një takim.
Presidenti panamez Jose Raul Mulino kishte mohuar më parë çdo ndërhyrje nga ndonjë vend tjetër në kanal, i cili ai tha se menaxhohet mbi një parim neutraliteti.
"Kanali i Panamasë i përket Panamasë dhe do të vazhdojë t'i përkasë Panamasë," tha Mulino në përgjigje të kërcënimeve të Trump.