Putin shpreh gatishmërinë për të takuar Trumpin
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të premten gatishmërinë e tij për t'u takuar me homologun e tij amerikan, Donald Trump.
Sipas raportit të rrjetit Euronews, Kremlini thotë se presidenti rus, Vladimir Putin, është gati të bisedojë me homologun e tij amerikan, Donald Trump, por përpara kësaj po pret të marrë "sinjale" nga Uashingtoni.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, njoftoi të premten se Putini e kishte bërë të qartë se donte të rifillonte bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të reduktuar armët bërthamore dhe se "tani topi është në fushën e amerikanëve".
Me shpërthimin e luftës në Ukrainë, marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dy fuqive bërthamore, kanë arritur nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë.
Donald Trump ka premtuar vazhdimisht se do t'i japë fund këtij konflikti me një "marrëveshje".
Ai u tha gazetarëve të enjten se ishte gati të takohej "menjëherë" me Vladimir Putinin, duke shtuar se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjithashtu dëshironte negociata.
Donald Trump ka paralajmëruar se Rusia do të përballet me sanksione më të ashpra ekonomike nëse nuk i jep fund luftës gati trevjeçare në Ukrainë.
“Nëse ata nuk i japin fund kësaj lufte së shpejti, unë do të vendos tarifa të rënda, taksa të larta dhe sanksione të mëdha ndaj Rusisë”, tha ai në një intervistë për rrjetin televiziv Fox News.