Scholz kritikon presidentin amerikan: Kufijtë nuk zhvendosen me forcë
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, pas një takimi me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, që synonte të tregonte unitetin evropian, ka thënë se kufijtë nuk duhet të zhvendosen me forcë, ndërsa Donald Trump vazhdon me kërkesat e tij për të fituar kontrollin e Groenlandës.Kryeministrja daneze u takua me Scholz në Berlin, përpara takimeve me presidentin francez, Emmanuel Macon, në Paris dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Bruksel më vonë të martën.
Gjatë fundjavës Trump tha: “Unë mendoj se do të kemi Groenlandën” dhe u raportua se e kishte kërcënuar Danimarkën me tarifa mbi territorin danez.
Presidenti amerikan ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës ushtarake për të marrë ishullin Arktik, pjesë e mbretërisë së Danimarkës, e cila vazhdon të kontrollojë politikën e saj të jashtme.
Në një konferencë të përbashkët shtypi në Berlin, as Scholz dhe as Frederiksen nuk përmendën Trumpin apo Groenlandën, por dukej qartë se çështja ishte në mendjet e tyre.
Pasi foli për pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022 dhe se si paprekshmëria e kufijve është një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare, Scholz tha: “Parimi duhet të zbatohet për të gjithë. Kufijtë nuk duhet të zhvendosen me forcë”.
Frederiksen tha se Europa aktualisht po përballet me një realitet më të pasigurt që kërkon bashkëpunim më të madh.