Erdogan: Krijimi i një shteti palestinez nuk mund të vonohet më
https://parstoday.ir/sq/news/world-i167804-erdogan_krijimi_i_një_shteti_palestinez_nuk_mund_të_vonohet_më
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se krijimi i një shteti palestinez me integritet territorial nuk mund të vonohet më.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Shkurt 12, 2025 19:44 Europe/Tirane
  • Erdogan: Krijimi i një shteti palestinez nuk mund të vonohet më

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se krijimi i një shteti palestinez me integritet territorial nuk mund të vonohet më.

Erdogan, në kuadër të vizitës së tij në Indonezi mbajti një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij indonezian Prabowo Subianto.

Presidenti turk në fjalimin e tij u ndal edhe në çështjen palestineze.

“Krijimi i një shteti sovran palestinez me integritet territorial bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet nuk mund të vonohet më”, citohet të ketë thënë ai.

“Shtetet tjera në rajon nuk mund të gjejnë stabilitet derisa Gaza dhe palestinezët të gjejnë paqe”, shtoi presidenti turk, njofton AA.

Ai gjithashtu vlerësoi qëndrimin e Indonezisë për çështjen palestineze.

“Do të vazhdojmë të punojmë me Indonezinë për rindërtimin e Gazës”, tha Erdogan.

Presidenti turk gjithashtu foli edhe për dëmin që Izraeli ka shkaktuar në sulmin e tij ndaj Palestinës.

“Dëmi total i shkaktuar nga sulmet 15 mujore të Izraelit po i afrohet 100 miliardë dollarëve. Parimi në ligj është që dëmi duhet të mblidhet nga shkaktari”, u shpreh ai.